

Një çift pensionistësh në Francë ka rënë pre e një skeme të mirëorganizuar mashtrimi, duke humbur para dhe sende me vlerë që arrijnë në rreth 1.1 milionë euro. Ngjarja ka ndodhur në Lainville-en-Vexin, një fshat në departamentin Yvelines.
Sipas mediave franceze, mashtrimi nisi më 31 korrik, kur çifti mori një telefonatë nga një person që u prezantua si punonjës i një kompanie sigurie. Ai pretendoi se të dhënat personale të pensionistëve ishin komprometuar dhe i këshilloi të qëndronin në banesë, ndërsa u kërkoi të përgatisnin edhe një ankesë paraprake për ta bërë situatën më të besueshme.
Dy ditë më vonë, autorët kaluan në fazën tjetër të planit. Një person mori burrin nga banesa me pretendimin se duhej të kryhej një procedurë sigurie, ndërsa gruaja mbeti vetëm në shtëpi.
Gjatë kësaj kohe, ajo mori një tjetër telefonatë nga një person që u prezantua sërish si përfaqësues i kompanisë së sigurisë. Pasi mësoi se familja dispononte një kasafortë, ai e bindi se paratë dhe sendet me vlerë duhej të transferoheshin përkohësisht në një vend të sigurt.
E bindur nga skenari i mashtruesve, pensionistja vendosi në një çantë para në dorë, paund ari, shufra ari dhe bizhuteri, të cilat më pas ia dorëzoi një personi që u paraqit në banesë si korrier i autorizuar. Vlera e pasurisë së marrë nga autorët llogaritet në rreth 1.1 milionë euro.
Pasi kuptuan se kishin rënë viktimë e një mashtrimi, pensionistët njoftuan menjëherë autoritetet dhe depozituan kallëzim.
Hetuesit francezë po verifikojnë mundësinë që autorët të kenë siguruar të dhënat personale të viktimave përmes rrjedhjeve të informacionit. Dyshimet lidhen edhe me sulmet kibernetike të raportuara së fundmi ndaj kompanive që merren me blerjen dhe shitjen e arit në Francë.
Deri më tani, autorët nuk janë identifikuar, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse e njëjta skemë është përdorur edhe në raste të tjera mashtrimi ndaj personave që zotërojnë pasuri me vlerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






