

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 38-vjeçares skoceze Elizabeth, trupi i së cilës u gjet brenda një valixheje në zonën e Kypselit, në Athinë, në mesin e muajit korrik.
Sipas mediave britanike, 26-vjeçari afgan Sharif Ahmadzai është lënë në paraburgim, ndërsa autoritetet greke e konsiderojnë dëshminë e bashkëshortes së tij, shtetases amerikane Alaina, si një element të rëndësishëm në ecurinë e hetimeve.
Në deklarimin e saj, Alaina tha se ajo dhe bashkëshorti ishin njohur me Elizabeth gjatë aktivitetit vullnetar në një organizatë bamirëse për refugjatët në Athinë, në shkurt të vitit 2026. Ajo e përshkroi viktimën si një person të sjellshëm dhe me shpirt human.
Sipas dëshmisë, më 12 korrik Elizabeth i kishte ftuar për një shëtitje, ndërsa më pas kishte mbetur vetëm me Ahmadzain. Dyshohet se të dy kanë vijuar të komunikojnë edhe në ditët pasuese, ndërsa më 15 korrik viktima i kishte dërguar të riut një mesazh falënderues për gatishmërinë për ta shoqëruar në shpërndarjen e Biblave.
Alaina deklaroi se gjatë natës së 15 korrikut zbuloi se bashkëshorti ishte larguar nga banesa pa e njoftuar. Duke kontrolluar vendndodhjen e tij në telefon, ajo pa se ndodhej në apartamentin e Elizabeth. Kur e pyeti, ai i tha se kishte dalë për të parë një ndeshje futbolli dhe se kishte hyrë në apartament vetëm për të përdorur banjën. Sipas hetimeve, i dyshuari ka pranuar se kishte shkuar në banesën e viktimës atë ditë.
Fillimisht, Alaina tha se i besoi shpjegimeve të bashkëshortit. Megjithatë, dyshimet u shtuan pasi mediat raportuan gjetjen e trupit të një gruaje brenda një valixheje në Kypseli. Më 29 korrik ajo tentoi të kontaktonte Elizabeth përmes mesazheve, por përgjigjet që mori i konsideroi të pazakonta.
Sipas saj, mënyra e të shkruarit dhe përdorimi i emoji-ve nuk përputheshin me stilin e zakonshëm të viktimës. Pasi nuk arriti ta kontaktonte me telefon dhe autoritetet identifikuan zyrtarisht trupin si atë të Elizabeth, Alaina deklaroi se u largua nga banesa për arsye sigurie.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë, ndërsa Sharif Ahmadzai përballet me akuzat për vrasjen e 38-vjeçares. Çështja mbetet nën shqyrtim nga autoritetet greke dhe përgjegjësia penale e të dyshuarit do të përcaktohet nga gjykata.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






