

FUSHË-ARRËZ — Kryepleqtë dhe banorët e nëntë fshatrave të Njësisë Administrative Fierzë janë mbledhur në një kuvend të përbashkët pranë Kishës së Fierzës, për të kundërshtuar njëzëri projektin për shkrirjen e Bashkisë Fushë-Arrëz dhe bashkimin e saj me Pukën.
Gjatë takimit, banorët dhe përfaqësuesit e zonës argumentuan se largësia gjeografike prej rreth 100 kilometrash nga Puka e bën të pamundur shërbimin efikas ndaj qytetarëve, duke u shprehur se për marrjen e një letre apo shërbimi administrativ "Puka është larg sa Kina". Ata gjithashtu ngritën shqetësimin për mungesën e vullnetit institucional për të investuar në zonat rurale gjatë tri dekadave të fundit.
Si shembuj të braktisjes institucionale, banorët përmendën mungesën e investimeve në rrjetin e furnizimit me energji elektrike — pavarësisht se zona furnizon me energji të gjithë vendin — si dhe mangësitë e theksuara në infrastrukturën arsimore.
Në përfundim të kuvendit, kryepleqtë e fshatrave bënë të ditur se banorët e Fierzës do t’i bashkohen protestës së paralajmëruar për nesër, 7 gusht, në Fushë-Arrëz, ku do të kundërshtojnë zyrtarisht draftin e propozuar nga Partia Socialiste për reformën territoriale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






