Transmetuar më 06-08-2026, 12:56

TIRANË — Kompania "MABCO", e drejtuar nga biznesmeni Behgjet Pacolli, ka kundërshtuar ashpër vendimin për zgjidhjen e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Vlorës, duke akuzuar institucionet shtetërore për përjashtim të paligjshëm nga investimi dhe ushtrim presionesh të vazhdueshme.

Në një konferencë për mediat, avokati i kompanisë, Arlind Ahmetaj, deklaroi se "MABCO", e cila sipas tij zotëron 98% të investimit, është mbajtur me forcë jashtë kantierit për një vit të plotë. Sipas tij, ngjarjet janë pjesë e një skenari të ndërtuar me një rezultat të paracaktuar, ndërsa theksoi se përfaqësuesit e kompanisë janë penguar fizikisht nga hyrja në ambientet e aeroportit.

Ahmetaj ngriti akuza ndaj Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për refuzim inspektimi gjatë një vizite të propozuar në mars të vitit 2026, si dhe për ushtrim presionesh e ultimatumesh pas rikthimit të normalitetit më 26 maj 2026. Ai bëri të ditur gjithashtu se kompania ka dorëzuar 10 kallëzime penale, të cilat sipas tij nuk janë shqyrtuar nga organet kompetente.

Nga ana e tij, Agon Pacolli deklaroi se në Aeroportin e Vlorës janë realizuar 95% e punimeve dhe se kantieri ishte parashikuar të përfundonte plotësisht brenda tri javësh, duke paraqitur edhe faturat financiare të derdhura për këtë projekt.

Në përfundim, përfaqësuesit e "MABCO" theksuan se nuk e pranojnë zgjidhjen e kontratës të bazuar në nenin 15.4 dhe paralajmëruan se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë arbitrazhin, për të mbrojtur të drejtat e tyre pronësore dhe kontraktuale.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit