Transmetuar më 06-08-2026, 11:47

VLORË — Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë ka hedhur poshtë akuzat dhe aludimet e ngritura në rrjetet sociale për një tentativë të mundshme fshehjeje të vdekjes së një turisteje gjermane në bregdetin e Palasës.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, policia ka sqaruar se ngjarja ka ndodhur më 30 korrik 2026, rreth orës 11:45, kur Stacioni i Policisë Dhërmi është njoftuar nga Qendra Shëndetësore e Palasës se atje ishte transportuar në gjendje të rëndë 33-vjeçarja gjermane M. S., e cila kishte shfaqur probleme të papritura shëndetësore. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor, e reja ka humbur jetën.

Autoritetet bëjnë me dije se, nga veprimet paraprake hetimore, bëhet fjalë për një vdekje natyrale të shkaktuar nga arresti kardiak. Policia thekson se menjëherë pas njoftimit janë kryer të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë, të cilës i janë referuar edhe materialet për veprime të mëtejshme.

Sipas autoriteteve, të gjitha veprimet janë kryer në përputhje të rreptë me procedurat standarde të punës dhe legjislacionit në fuqi, duke i dhënë fund spekulimeve publike rreth rastit.

Reagimi i Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë:

Nisur nga një lajm i publikuar në media në lidhje me humbjen e jetës së një shtetaseje të huaj në Palasë, sqarojmë opinionin publik se:

Rreth orës 11:45, të datës 30.07.2026, Stacioni i Policisë Dhërmi u njoftua nga Qendra Shëndetësore e Palasës se në ambientet e saj ishte dërguar shtetasja gjermane M. S., 33 vjeçe, e cila kishte shfaqur probleme shëndetësore dhe, pavarësisht ndihmës së menjëhershme mjekësore, humbi jetën.

Nga veprimet e kryera paraprakisht, dyshohet se bëhet fjalë për vdekje natyrale, pasi shtetasja gjermane dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e arrestit kardiak.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kryen të gjitha veprimet procedurale në vendngjarje, në bashkëpunim me grupin hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë.

Pas përfundimit të veprimeve të para hetimore, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë kompetente për veprime të mëtejshme.

Në lidhje me këtë rast, nga ana e Policisë janë kryer të gjitha veprimet në përputhje me procedurat standarde të punës dhe legjislacionin në fuqi.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit