

HIMARË — Tre persona, përfshirë një të mitur, janë vënë në pranga nga Policia e Himarës si pjesë e operacionit antidrogë të koduar "Area", pasi dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në zonat e njohura turistike të Livadhit dhe Llamanit.
Në kuadër të operacionit, i cili u ndau në dy faza, autoritetet policore sekuestruan gjithsej 91 doza kokaine dhe kanabisi, të përgatitura për shitje, një peshore elektronike, një automjet dhe një aparaturë celulare.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, gjatë fazës së parë, të koduar "Area 01", u arrestuan në flagrancë shtetasit V. K., 17 vjeç, banues në Himarë, dhe D. Gj., 40 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrolleve fizike dhe në banesën e marrë me qira të përkohshme nga 40-vjeçari në fshatin Llaman, efektivët gjetën 60 doza lënde të dyshuar narkotike kokainë dhe kanabis, të destinuara për t’u shitur në plazhe dhe lokale nate (beach bare) të zonës.
Ndërkohë, në kuadër të fazës së dypë, "Area 02", u arrestua shtetasi R. L., 24 vjeç. Gjatë kontrollit në automjetin e tij dhe në banesën e përkohshme në Himarë, policia sekuestroi 31 doza të tjera kanabisi gati për shitje dhe një peshore elektronike.
Autoritetet bëjnë me dije se dy prej të dyshuarve kishin siguruar banesa të përkohshme në bregdet enkas për të ushtruar këtë aktivitet kriminal gjatë sezonit turistik. Arrestimet vijnë në kuadër të masave të shtuara të policisë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike përgjatë vijës bregdetare, ndërsa kontrollet dhe hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të shpërndarjes.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






