Transmetuar më 06-08-2026, 08:49

MALLAKASTËR – Situata e zjarreve në Bashkinë Mallakastër vijon të mbetet kritike, ndërsa disa vatra aktive po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga temperaturat e larta, terreni i vështirë dhe masivet e dendura pyjore.

Vatra më problematike është regjistruar në zonën e Panahorit, ku flakët vijojnë të jenë me intensitet të lartë dhe po avancojnë në drejtim të fshatrave Panahor dhe Çyçen. Autoritetet paralajmërojnë se ekziston rreziku që zjarri të përhapet edhe drejt fshatit Cfir, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e banorëve dhe të pronave.

Një tjetër vatër aktive është shfaqur në fshatin Rriban, ku zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me pisha, ndërsa ndërhyrja e forcave në terren po vështirësohet nga kushtet e terrenit.

Ndërkohë, flakët po përparojnë edhe drejt masivit pyjor të Ndrenies dhe Vloshtit, duke rritur rrezikun për djegien e sipërfaqeve të tjera pyjore.

Në operacionin për përballimin e emergjencës janë angazhuar katër automjete zjarrfikëse, 25 efektivë të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, 30 punonjës të bashkisë dhe 50 ushtarakë të Forcave të Armatosura.

Për shkak të përmasave të zjarrit dhe terrenit të vështirë, autoritetet kanë kërkuar ndërhyrje urgjente nga ajri me të paktën dy helikopterë, me synim frenimin e përhapjes së flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara që rrezikohen nga zjarri.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit