

TIRANË – Sokol Hoxha, i dënuar për vrasjen e dy vëllezërve në Patos dhe i kërkuar edhe nga autoritetet belge për një tjetër vrasje, është ekstraduar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës drejt Shqipërisë. Ai ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, ku është marrë në dorëzim nga autoritetet shqiptare.
Hoxha ishte në arrati prej rreth 30 vitesh. Sipas autoriteteve, ai akuzohet për vrasjen e dy vëllezërve në Patos, krim pas të cilit u largua fillimisht drejt Greqisë dhe më pas në Belgjikë.
Autoritetet belge e kërkojnë gjithashtu për ekzekutimin e Brunilda Dervishit në Bruksel. Sipas hetimeve të zhvilluara në Belgjikë, Hoxha dyshohet se kishte lidhur një martesë fiktive me viktimën dhe e kishte shfrytëzuar atë për prostitucion. Sipas të njëjtave burime, konflikti mes tyre lindi pasi viktima kundërshtoi këtë shfrytëzim, ndërsa më pas u vra në një lokal në kryeqytetin belg.
Pas ngjarjes në Belgjikë, Hoxha u largua fillimisht drejt Mbretërisë së Bashkuar dhe më pas në Shtetet e Bashkuara, ku arriti t’i fshihej drejtësisë për shumë vite.
Me ekstradimin e tij në Shqipëri, autoritetet shqiptare pritet të ndjekin procedurat ligjore për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, ndërsa çështja mbetet në koordinim edhe me autoritetet belge për detyrimet ligjore që lidhen me dënimin e dhënë ndaj tij.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






