Transmetuar më 06-08-2026, 07:43

TIRANË – Numri i shtetasve të huaj me leje qëndrimi në Shqipëri ka arritur nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë. Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, deri më 30 qershor 2026 janë miratuar gjithsej 38,712 leje aktive qëndrimi, ndërsa arsyeja kryesore e qëndrimit në vend mbetet punësimi.

Të dhënat tregojnë se 22,693 leje, ose rreth 59% e totalit, janë lëshuar për punëmarrës dhe të vetëpunësuar, duke konfirmuar rritjen e kërkesës për fuqi punëtore të huaj në tregun shqiptar.

Sipas shtetësisë, numrin më të madh të lejeve aktive e kryesojnë shtetasit e Kosovës me 7,302 leje, ose rreth 19% të totalit. Pas tyre renditen Italia me 4,332 leje, India me 3,882, Filipinet me 3,638 dhe Egjipti me 3,441 leje qëndrimi.

Në kategorinë e lejeve për punësim dominojnë shtetasit nga Filipinet, India dhe Egjipti. Së bashku, këto tre shtete përfaqësojnë 10,258 leje pune, ose rreth gjysmën e të gjitha lejeve të kësaj kategorie.

Lejet për bashkim familjar përbëjnë kategorinë e dytë më të madhe, me 7,124 leje aktive, ose 18% të totalit. Në këtë grup kryesojnë shtetasit e Kosovës me 2,978 leje, të ndjekur nga Italia me 783 dhe Turqia me 518 leje.

Ndërkohë, për arsye studimi janë regjistruar 1,261 leje qëndrimi, që përfaqësojnë rreth 3% të totalit. Kjo kategori dominohet nga shtetasit italianë me 462 leje, ndërsa pas tyre renditen shtetasit indianë me 426 leje.

Sa i përket lejeve me motiv humanitar, numrin më të lartë e kanë shtetasit e Iranit, me 2,440 leje aktive, ndërsa shtetasit e vendeve të tjera përfaqësohen me shifra dukshëm më të ulëta.

Statistikat tregojnë se Shqipëria po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një vend destinacion për punësim dhe qëndrim afatgjatë të shtetasve të huaj, si pasojë e nevojës së tregut për fuqi punëtore dhe rritjes së investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit