Transmetuar më 06-08-2026, 07:37

TIRANË – Shqipëria vijon të renditet ndër vendet me flotën më të vjetër të automjeteve në Europë. Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se në fund të vitit 2024, rreth 91% e autoveturave në vend ishin mbi 10 vjet të vjetra, ndërsa 43% kishin më shumë se 20 vite nga data e prodhimit.

Sipas statistikave, Shqipëria renditet e dyta në Europë për peshën e automjeteve mbi 20-vjeçare, pas Gjeorgjisë, dhe para vendeve të tjera të rajonit si Serbia, Kosova dhe Mali i Zi. Ndërkohë, vetëm 1.4% e automjeteve në qarkullim janë deri në dy vjet të vjetra, ndërsa rreth 2% kanë moshë nga dy deri në pesë vjet.

Ekspertët e lidhin vjetërsinë e flotës me fuqinë më të ulët blerëse, koston e lartë të automjeteve të reja dhe varësinë nga importi i mjeteve të përdorura, kryesisht nga vendet europiane dhe, së fundmi, nga tregjet aziatike.

Edhe automjetet e regjistruara për herë të parë gjatë vitit 2024 rezultojnë kryesisht të përdorura. Rreth 53% e tyre ishin 9 deri në 15 vjet të vjetra, ndërsa 26% kishin kaluar moshën 15-vjeçare. Vetëm 12% e mjeteve të regjistruara kishin moshë deri në katër vjet.

Nafta vazhdon të dominojë

Pavarësisht zhvillimeve të fundit në tregun e automjeteve elektrike, flota shqiptare mbetet e dominuar nga mjetet me naftë. Sipas të dhënave, në vitin 2025 ato përbënin 72.1% të autoveturave në qarkullim.

Edhe regjistrimet e reja vijojnë të dominohen nga automjetet me këtë lloj karburanti. Gjatë vitit 2024, 63% e mjeteve të regjistruara për herë të parë ishin me naftë, 23% me benzinë, ndërsa automjetet elektrike përfaqësonin vetëm 3.1% të importeve.

Vjetërsia e lartë e automjeteve dhe mbizotërimi i motorëve me naftë konsiderohen faktorë që ndikojnë në ndotjen e ajrit, rritjen e konsumit të karburantit, kostot e mirëmbajtjes dhe sigurinë rrugore.

Rritet interesi për automjetet elektrike

Megjithatë, të dhënat tregojnë një rritje graduale të interesit për automjetet elektrike. Gjatë vitit 2025, ato përbënin 5.7% të mjeteve të importuara, ndërsa vetëm në dy muajt e parë të vitit 2026 u regjistruan 1,712 automjete elektrike, ose rreth 12% e totalit të regjistrimeve të reja.

Interesi është më i lartë te automjetet me kilometrazh zero. Nga janari deri në tetor 2025, rreth 42.4% e automjeteve të reja të regjistruara në Shqipëri ishin plotësisht elektrike, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me një vit më parë.

Europa po rinovon flotën

Ndërkohë, vendet e Bashkimit Europian po vijojnë të rinovojnë flotën e automjeteve dhe të reduktojnë përdorimin e motorëve me naftë. Sipas Eurostat, në fund të vitit 2025 në BE qarkullonin rreth 7.6 milionë automjete plotësisht elektrike, me një rritje prej 31.5% brenda një viti.

Shumë shtete europiane kanë zbatuar skema mbështetëse për zëvendësimin e automjeteve të vjetra me mjete me emetime të ulëta, duke nxitur njëkohësisht rinovimin e flotës dhe uljen e ndotjes. Në kontrast me këtë trend, Shqipëria vijon të ketë një nga flotat më të vjetra të automjeteve në kontinent, edhe pse interesi për teknologjitë e reja dhe automjetet elektrike është në rritje.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit