

TIRANË – Rreth 13% e territorit të Shqipërisë, ose afërsisht 1,519 kilometra katrorë, rezulton i klasifikuar si i braktisur gjatë periudhës 2011–2023. Të dhënat bëhen të ditura në një hartë të publikuar në kuadër të propozimeve për reformën territoriale, bazuar në informacionet e Institutit të Statistikave (INSTAT).
Sipas analizës, fenomeni i braktisjes është i pranishëm në pothuajse të gjithë vendin, por shfaqet më i theksuar në zonat malore, të thella dhe me dendësi të ulët popullsie.
Rajonet më të prekura janë ato të veriut dhe verilindjes, ku përfshihen bashkitë e Tropojës, Kukësit, Dibrës, Matit, Mirditës, Fushë-Arrëzit, Pukës dhe Malësisë së Madhe. Në këto zona evidentohet një përqendrim i lartë i vendbanimeve të braktisura, duke reflektuar largimin e vazhdueshëm të popullsisë nga fshatrat dhe zonat periferike.
Fenomeni është i dukshëm edhe në pjesën qendrore-lindore të vendit, në bashkitë e Librazhdit, Elbasanit, Gramshit, Përrenjasit dhe Skraparit, si edhe në disa zona të Beratit dhe Korçës. Ndërsa në jug, braktisja prek bashkitë e Përmetit, Tepelenës, Kolonjës, Memaliajt, Gjirokastrës dhe zona të tjera të brendshme.
Në të kundërt, korridori perëndimor dhe qendrat më të mëdha urbane, si Tirana, Durrësi dhe Fieri, paraqesin një përqendrim më të lartë të popullsisë dhe një nivel më të ulët të sipërfaqeve të braktisura, megjithëse edhe në periferi të tyre evidentohen vatra të këtij fenomeni.
Sipas të dhënave, zhvendosja e popullsisë nga zonat rurale drejt qendrave urbane dhe ultësirës perëndimore vijon të jetë një nga tendencat kryesore demografike të viteve të fundit.
Ekspertët e lidhin këtë situatë me mungesën e mundësive ekonomike në zonat rurale, nivelin e ulët të investimeve, infrastrukturën e amortizuar dhe aksesin e kufizuar në shërbimet publike, si arsimi, shëndetësia dhe transporti. Po ashtu, emigracioni dhe migrimi i brendshëm, të shoqëruara me plakjen e popullsisë, kanë përshpejtuar boshatisjen e shumë vendbanimeve.
Analiza nxjerr në pah një polarizim të zhvillimit territorial, ku investimet dhe aktiviteti ekonomik janë përqendruar kryesisht në korridorin perëndimor dhe në qendrat e mëdha urbane, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e zonave malore dhe periferike vijon të përballet me tkurrje të popullsisë dhe braktisje.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






