

Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar kandidaturën e Eric P. Wendt për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri, duke i hapur rrugën përfundimit të procedurave të emërimit të tij në Tiranë.
Kandidatura e Wendt u miratua në seancën plenare të Senatit me 50 vota pro dhe 44 kundër, pas mbështetjes së marrë më herët në Komitetin për Marrëdhëniet me Jashtë.
Pas votimit në Senat, hapi i fundit për formalizimin e emërimit është nënshkrimi nga Presidenti amerikan Donald Trump. Pas përfundimit të kësaj procedure, Wendt pritet të udhëtojë drejt Tiranës, ku do të nisë zyrtarisht detyrën pas paraqitjes së letrave kredenciale te Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Eric P. Wendt do të pasojë në këtë detyrë ambasadoren Yuri Kim, e cila përfundoi mandatin e saj në Shqipëri në vitin 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë është drejtuar nga të ngarkuar me punë, ndërsa procesi i emërimit të një ambasadori të ri u zgjat për shkak të procedurave të konfirmimit në Senat.
Kush është Eric P. Wendt?
Eric P. Wendt është një ish-oficer i lartë i ushtrisë amerikane, me mbi 30 vite përvojë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, pjesën më të madhe të karrierës së tij në forcat speciale amerikane, të njohura si "Green Berets".
Gjatë karrierës së tij ushtarake, ai ka shërbyer si komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s dhe ka mbajtur poste të rëndësishme në strukturat e sigurisë së Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme dhe rajonin e Paqësorit.
Në periudhën 2017–2019, Wendt ka shërbyer si koordinator i sigurisë së SHBA-së për Autoritetin Izraelito-Palestinez, ndërsa më herët ka mbajtur edhe detyrën e shefit të shtabit në Komandën e Paqësorit të Shteteve të Bashkuara.
Ai është diplomuar në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara dhe ka përfunduar studime pasuniversitare në sigurinë kombëtare në Naval Postgraduate School. Wendt flet disa gjuhë të huaja, përfshirë arabishten dhe koreanishten.
Kjo nuk është kandidatura e parë diplomatike për të. Gjatë mandatit të parë të Donald Trump, Wendt ishte propozuar për postin e ambasadorit amerikan në Katar, por emërimi i tij nuk u finalizua nga Senati.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






