

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se gjatë datave 6 dhe 7 gusht do të ketë kufizime të përkohshme të qarkullimit në autostradën Durrës–Tiranë, për shkak të punimeve që po kryhen në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, punimet do të zhvillohen gjatë orëve të natës, nga ora 00:00 deri në 04:30, dhe do të përfshijnë montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për të garantuar sigurinë gjatë punimeve, do të bllokohen përkohësisht dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij intervali, automjetet që lëvizin nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen përmes rampave të autostradës Thumanë–Kashar.
Mjetet që kanë si destinacion aeroportin ose Kosovën do të vijojnë udhëtimin në autostradën Kashar–Thumanë. Ndërsa drejtuesit që udhëtojnë drejt Tiranës do të orientohen, përmes sinjalistikës së përkohshme, në rrugën dytësore dhe më pas do të rikthehen në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.
ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve të planifikojnë paraprakisht udhëtimet, të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur në zonën ku po kryhen punimet.
Autoriteti kërkon gjithashtu mirëkuptimin e qytetarëve, bizneseve dhe banorëve të zonës për shqetësimet e përkohshme që mund të shkaktohen gjatë ndërhyrjes.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






