

Cristiano Ronaldo ka tërhequr edhe një herë vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, duke publikuar fotografi të koleksionit të tij luksoz të supermakinave. Ylli portugez i shoqëroi imazhet në Instagram me përshkrimin e shkurtër: "Lodrat e mia".
Në një intervistë të mëparshme për Piers Morgan, Ronaldo kishte pranuar se nuk mban më një numër të saktë të automjeteve që zotëron.
"Nëse do të më duhej të hamendësoja, do të thosha 40 ose 41. Sinqerisht nuk e di. Më pëlqejnë Bugatti-t, janë krejt ndryshe," ishte shprehur ai.
Në koleksionin e tij spikasin disa prej modeleve më ekskluzive të Ferrari-t, përfshirë Purosangue, 599 GTO, SP3 Daytona dhe Monza SP1, automjete që së bashku arrijnë vlera prej disa milionë paundësh.
Po ashtu, Ronaldo zotëron edhe dy modele të rralla të Bugatti-t: Veyron, me një vlerë rreth 2 milionë paund, dhe Centodieci, një model i prodhuar në vetëm 10 njësi në mbarë botën. Sipas vlerësimeve të shtëpisë së ankandeve RM Sotheby’s, një Bugatti Centodieci është vlerësuar deri në 12.5 milionë paund.
Garazhi i sulmuesit të Al-Nassr përfshin gjithashtu modele prestigjioze si McLaren Speedtail, Mercedes-AMG One, Lamborghini Aventador, Lamborghini Urus, Bentley Flying Spur, Bentley Continental GT, McLaren MP4-12C, Mercedes-Benz S65 AMG dhe Chevrolet Camaro, që përdoret nga familja.
Mes automjeteve më të fundit është edhe Bugatti Tourbillon, me vlerë rreth 3.2 milionë paund, të cilin Ronaldo ka deklaruar se e bleu si investim. Koleksionit i shtohen edhe disa automjete luksoze të markës Rolls-Royce, si dhe një Mercedes G-Wagon Brabus, dhuratë nga partnerja e tij, Georgina Rodriguez.
Me një koleksion që vlerësohet në dhjetëra milionë euro, Cristiano Ronaldo mbetet një nga sportistët me pasionin më të madh për automobilët luksozë. Aktualisht ai po shijon pushimet verore përpara rikthimit te Al-Nassr, ndërsa mediat ndërkombëtare raportojnë se në javët e ardhshme pritet të kurorëzojë me martesë lidhjen me Georgina Rodriguez.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






