Transmetuar më 05-08-2026, 20:53

Shtatë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në disa zona të vendit, ndërsa situata më shqetësuese paraqitet në bashkinë Mallakastër, ku flakët rrezikojnë të përhapen drejt zonave të banuara.

Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), gjatë 10 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat shtatë mbeten ende aktive. Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e flakëve janë angazhuar 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, një helikopter dhe një avion "Air Tractor" i Forcës Ajrore.

Situata më e vështirë po menaxhohet në fshatrat Riban dhe Ngraçan të bashkisë Mallakastër, ku zjarri ka marrë përmasa të mëdha. Në terren po operojnë forca zjarrfikëse nga disa bashki, 35 punonjës të strukturave bashkiake, 40 efektivë të Forcave të Armatosura, si edhe avioni "Air Tractor", me synim frenimin e përhapjes së flakëve drejt banesave.

Në Parkun Kombëtar të Dajtit vijojnë ndërhyrjet për shuarjen e zjarrit, me pjesëmarrjen e shërbimit zjarrfikës, Administratës së Zonave të Mbrojtura, 50 efektivëve të Forcave të Armatosura dhe një helikopteri të Forcës Ajrore. Sipas AKMC-së, aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara.

Operacionet janë në vijim edhe në qarkun e Elbasanit, në zonat e Shqiponjës, malit të Dardhës dhe fshatit Mjekës. Vatrat në Shqiponjë dhe Mjekës janë vendosur nën kontroll, ndërsa nuk raportohet rrezik për banesat.

Aktive mbetet edhe vatra në zonën malore mes Stegopullit dhe Selckës, në bashkitë Libohovë dhe Dropull, ku flakët janë përhapur në një zonë të mbrojtur. Edhe në këtë rast autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Penkovë të bashkisë Selenicë, zjarri është shuar plotësisht. Sipas bilancit paraprak, flakët përfshinë rreth dy hektarë pyll me pisha dhe dogjën 40 automjete të braktisura. Në Gumenicë vijon puna për shuarjen e një vatre me shkurre, ndërsa në Vërzhezhë të bashkisë Skrapar situata është vendosur nën kontroll.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit