

Qytetarë dhe aktivistë u mblodhën këtë të mërkurë në Tiranë në protestën e 67-të radhazi kundër qeverisë, ku nuk munguan pankartat dhe mesazhet kritike ndaj kryeministrit Edi Rama.
Një nga pankartat që tërhoqi vëmendjen mbante mbishkrimin "Populli në rrugë, pushteti në jaht", në një referencë ndaj fotografive të publikuara së fundmi në rrjetet sociale, ku kryeministri Rama shihet duke lundruar me skaf në zonën e Dhërmiut.
Sipas protestuesve, mesazhi synonte të shprehte kritika ndaj asaj që ata e konsiderojnë si një distancë mes qeverisë dhe shqetësimeve të qytetarëve.
Gjatë tubimit foli edhe aktivisti Edison Lika, i cili deklaroi se protestat do të vijojnë edhe gjatë muajit gusht. Duke iu referuar fotografive të kryeministrit, ai u shpreh:
"Në ditën e 67-të të kësaj proteste kanë qarkulluar disa foto në të cilat shihet ish-kryeministri Rama me një skaf. Nga ky shesh i themi: ‘Shijo pushimet e fundit në liri’. Ky shesh do të vazhdojë të jetë plot çdo ditë të këtij gushti. I drejtohemi SPAK-ut me thirrjen: ‘Hetoni Ramën'", deklaroi Lika.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






