

Edhe takimi i tretë mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa arritjen e një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja të vendit.
Takimi, i cili nuk ishte paralajmëruar më herët, u zhvillua në ambientet e Kuvendit të Kosovës, pas mbledhjes së Grupit Parlamentar të LDK-së. Pas përfundimit të tij, Kurti deklaroi shkurt se ende nuk ka zhvillime konkrete.
"Nuk kemi lajme përderisa nuk kemi marrëveshje. Kur ta realizojmë marrëveshjen, atëherë do t’ju njoftojmë," u shpreh ai para gazetarëve.
Nga ana tjetër, Abdixhiku u largua nga Kuvendi pa dhënë deklarata për mediat.
Ky ishte takimi i tretë mes dy liderëve në përpjekje për të gjetur një zgjidhje politike, ndërsa edhe dy takimet e mëparshme përfunduan pa rezultat. Megjithatë, të dy palët kanë lënë të hapur mundësinë e vijimit të dialogut.
Pas takimit të dytë, Kurti kishte theksuar se vendi ka nevojë për një marrëveshje politike që respekton rezultatin zgjedhor dhe garanton stabilitet institucional. Ai paralajmëroi se, në mungesë të një dakordësie, ekziston rreziku i mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
Edhe Abdixhiku kishte vlerësuar se mosarritja e një marrëveshjeje do ta çonte vendin drejt një procesi të ri zgjedhor.
LDK-ja, sipas tij, mbështet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila garanton balancë demokratike në funksionimin e institucioneve.
Sa i përket çështjes së presidentit, të dy liderët konfirmuan se në bisedime nuk janë diskutuar emra konkretë. Kurti ritheksoi qëndrimin se kreu i ardhshëm i shtetit duhet të jetë figurë konsensuale dhe mbi palët politike, ndërsa Abdixhiku u shpreh se president do të jetë kandidati që siguron mbështetjen e të paktën 80 deputetëve në Kuvend.
Palët kanë lënë të hapur mundësinë që bisedimet të vazhdojnë edhe pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e caktuar për 6 gusht, nëse deri atëherë nuk arrihet një marrëveshje politike.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






