

Një argjendari në zonën e Paskuqanit, në Kamëz, është grabitur pasditen e së mërkurës nga dy persona të armatosur, të cilët, nën kërcënimin e armës, kanë marrë sende me vlerë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Sipas informacioneve paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë të pajisur me armë automatike, tip kallashnikov. Në momentin e grabitjes, brenda argjendarisë ndodheshin dy punonjëse, të cilat janë përballur me autorët, por fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.
Pas kryerjes së grabitjes, autorët janë larguar me shpejtësi duke përdorur një motor pa targa.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje, kanë rrethuar perimetrin dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e Kamzës, si edhe në akset rrugore përreth, me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Deri më tani nuk është bërë e ditur vlera e sendeve të grabitura. Grupi hetimor vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa pritet edhe një reagim zyrtar nga Policia me detaje të mëtejshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






