Transmetuar më 05-08-2026, 17:30

WASHINGTON, 5 gusht – Një vendim i një gjykate federale në Shtetet e Bashkuara mund të ndikojë procesin e përpunimit të vizave të emigrimit për shtetasit shqiptarë dhe kosovarë, pasi gjykata ka kundërshtuar politikën e administratës amerikane për pezullimin e shqyrtimit të vizave për qytetarë nga 75 vende.

Në vendimin e datës 31 korrik, gjyqtari federal Amit Mehta arriti në përfundimin se politika e njohur si “Public Charge Policy”, e miratuar nga Departamenti i Shtetit, tejkalon kompetencat ligjore të këtij institucioni sipas Ligjit për Emigracionin dhe Shtetësinë.

Politika kishte hyrë në fuqi më 21 janar 2026 dhe parashikonte pezullimin ose refuzimin e shqyrtimit të vizave të emigrimit për shtetasit e vendeve të përfshira në listë, mes tyre Shqipëria dhe Kosova. Qëllimi i saj ishte vendosja e procedurave të reja për vlerësimin nëse aplikantët mund të bëheshin përfitues të ndihmës sociale në Shtetet e Bashkuara.

Sipas gjykatës, vendimmarrja për miratimin ose refuzimin e vizave u takon oficerëve konsullorë, ndërsa sekretari i Shtetit nuk ka kompetencë të vendosë kufizime të përgjithshme ndaj një kategorie të tërë aplikantësh.

Megjithatë, vendimi nuk nënkupton automatikisht anulimin e plotë të politikës për të gjithë aplikantët nga 75 vendet e prekura. Gjykata ka urdhëruar që rasti i paditësve konkretë të rishqyrtohet individualisht brenda 60 ditëve.

Ekspertët e emigracionit vlerësojnë se vendimi mund të hapë rrugën për rishikim të mënyrës së zbatimit të kësaj politike, por ndikimi i tij i plotë te aplikantët shqiptarë do të varet nga hapat e mëtejshëm ligjorë dhe administrativë të autoriteteve amerikane.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit