Transmetuar më 05-08-2026, 14:28

ROMË, 5 gusht – Italia po përballet me një valë të re të nxehti ekstrem, ndërsa autoritetet kanë vendosur në nivelin më të lartë të alarmit dhjetëra qytete për shkak të temperaturave të larta që paraqesin rrezik serioz për shëndetin publik.

Sipas mediave italiane, 25 qytete ndodhen aktualisht nën alarm të kuq, ndërsa numri i tyre pritet të rritet në 27 gjatë së enjtes, pasi temperaturat parashikohen të arrijnë nivele rekord në disa rajone të vendit.

Vala e të nxehtit ka shkaktuar edhe viktima. Mediat raportojnë se një marangoz 40-vjeçar humbi jetën pasi u ndje keq teksa punonte mbi një çati. Një roje sigurie 55-vjeçare ndërroi jetë pas një urgjence shëndetësore ndërsa ndodhej në automjetin e saj, ndërsa një grua 90-vjeçare humbi jetën teksa ndodhej në kopshtin e banesës.

Sipas parashikimeve meteorologjike, temperaturat në disa zona të Italisë pritet të kalojnë 40 gradë Celsius. Gjatë fundjavës pritet një rënie e lehtë e temperaturave, të cilat do të mbeten gjithsesi të larta, duke u luhatur mes 36 dhe 39 gradë Celsius.

Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën edhe për shkak të rrezikut të shtuar nga thatësira dhe zjarret. Vatra zjarri janë raportuar në zonën e Marsicës, në rajonin e Abrucos, ndërsa ekipet e zjarrfikësve po punojnë për të vënë nën kontroll një tjetër zjarr në zonën Karst, pranë Triestes.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit