

TIRANË – Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe zv.kryeministres Belinda Balluku lidhur me zhvillimet rreth koncesionit të Aeroportit të Vlorës.
Gjatë një deklarate për mediat, Berisha paralajmëroi se shqiptarët do të përballen me një faturë prej të paktën 500 milionë eurosh nëse kompania e biznesmenit Behgjet Pacolli e çon çështjen në arbitrazh pas prishjes së kontratës. Sipas tij, prishja e marrëveshjes erdhi pasi Pacolli nuk pranoi t’u kalonte aksionet zyrtarëve të lartë të qeverisë.
"Prishin një kontratë vetëm sepse panë që Behgjet Pacolli nuk ka ndërmend t’u njohë atyre aksionet që këta pretendojnë se kompania turke ia ka dorëzuar," u shpreh Berisha, duke përmendur gjithashtu në skemë edhe zyrtarë të tjerë.
Kreu i PD-së ironizoi deklaratat e kaluara të Belinda Ballukut për projektin e aeroportit, duke e cilësuar atë si një keqmenaxhim të hapur dhe një histori mafioze korrupsioni që do të rëndojë financiarisht mbi qytetarët shqiptarë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






