

TIRANË – Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar dërgimin në gjyq të tre personave të përfshirë në një skemë mashtrimi përmes një “call center”-i të paligjshëm në zonën e Selitës, i cili premtonte rikthimin e fondeve të humbura nga investimet online (skema e njohur si “Recovery”).
Në bankën e të akuzuarve pritet të ulen Klaudio Sulejmeni dhe Franko Karemani, të akuzuar për veprën penale “Mashtrim kompjuterik”, si dhe Eriglen Arapi, i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.
Si funksiononte skema e mashtrimit? Sipas dosjes hetimore të drejtuar nga prokurori Bledar Valikaj, aktiviteti u zbulua më 10 nëntor 2025 pas një kontrolli të policisë në një ambient në rrugën “Zalli”. Në vendngjarje u sekuestruan pajisje elektronike, përfshirë 9 njësi qendrore, 2 laptopë dhe 2 aparate celulare.
Nga hetimet rezulton se:
Punonjësit e thirrur në këtë ambient kontaktonin shtetas të huaj, të cilëve u premtonin se mund t’u kthenin mbrapsht paratë e humbura në platformat e ndryshme të investimeve online.
Në fazën e parë, agjentët mblidhnin të dhëna nga klientët për humbjet financiare dhe kompanitë ku kishin investuar.
Më pas, rastet u kaloheshin personave që hiqeshin si “ekspertë” për të vazhduar manipulimin dhe për të bindur viktimat.
Dëshmitë e administruara nga organet e akuzës tregojnë se Klaudio Sulejmeni organizonte dhe koordinonte punën në ambient, ndërsa Franko Karemani siguronte komunikimin e drejtpërdrejtë me klientët. Ndërkohë, Eriglen Arapi akuzohet se kishte dijeni për aktivitetin e paligjshëm por nuk e kishte denoncuar, pavarësisht pretendimeve të tij se ndodhej atje thjesht për një takim.
Çështja tashmë ka kaluar për shqyrtim në gjykatë, ku të pandehurit do të përballen me akuzat përkatëse, duke gëzuar parimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të formës së prerë.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






