

RROGOZHINË – Policia e Shtetit ka vënë në pranga autorin e dyshuar të një zjarrvënieje në fshatin Lekaj të Rrogozhinës, ngjarje e cila shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale duke shkrumbuar rreth 250 pemë ulliri dhe pemë të tjera frutore.
Pas marrjes së njoftimit për vatrën e zjarrit që rrezikonte banesat përreth, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, ndërhynë në terren për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Nga hetimet paraprake rezultoi se zjarri ishte ndezur në oborrin e banesës së shtetasit N. U. dhe më pas ishte përhapur në pjesën e pasme të pronës. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Hetimit të Krimeve arrestuan në flagrancë shtetasin N. U., banues në Lekaj, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës i bën apel qytetarëve të abstenojnë nga ndezja e zjarreve për pastrimin e mbetjeve bimore, duke kujtuar se çdo pakujdesi apo zjarrvënie e qëllimshme përbën vepër penale dhe rrezikon seriozisht jetën, pronën dhe mjedisin.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






