Transmetuar më 05-08-2026, 10:07

TIRANË – Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat zyrtare për zgjidhjen e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Reagimi i sipërmarrësit Behgjet Pacolli ka qenë i menjëhershëm, i cili ka deklaruar se kompania MABCO Constructions SA nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare, por është njohur me këtë vendim përmes mediave.

Në deklaratën e tij publike, Pacolli thekson se ky hap e detyron shtetin shqiptar të përballet me pasojat e arbitrazhit tregtar ndërkombëtar. Sipas tij, MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, ndërkohë që projekti kishte arritur në fazën përfundimtare para certifikimit të aeroportit.

Investitori akuzon strukturat shtetërore dhe institucionet për veprime të paligjshme, duke theksuar se pas vendimit të Gjykatës së Lartë, kompania është mbajtur me forcë jashtë kantierit, ku pajisje me vlerë janë dëmtuar dhe vjedhur. Sipas MABCO, përdorimi i këtyre pengesave si shkak për prishjen e kontratës përbën një paradoks juridik dhe shkelje të Marrëveshjes Dypalëshe për Mbrojtjen e Investimeve ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë.

Në përfundim të reagimit, kompania bën të ditur se do të mbrojë të drejtat e saj ligjore me të gjitha provat dhe faktet e disponueshme në instancat ndërkombëtare të arbitrazhit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit