Transmetuar më 05-08-2026, 09:40

Pas disa ditësh rritjeje, çmimi i naftës në tregun me pakicë në Shqipëri ka shënuar një ulje të ndjeshme, duke zbritur sërish nën nivelin e 200 lekëve për litër.

Sipas vëzhgimeve në disa prej rrjeteve kryesore të tregtimit të karburanteve, çmimi i naftës është ulur nga 214 lekë në 199 lekë për litër, duke shënuar një reduktim prej 15 lekësh.

Kjo lëvizje vjen në një kohë kur tregjet ndërkombëtare të naftës kanë nisur të reflektojnë një tendencë rënëse pas rritjeve të forta të javëve të fundit, të cilat ndikuan edhe në çmimet në tregun shqiptar.

Ulja e fundit nuk është rezultat i një vendimi administrativ, por një reflektim i drejtpërdrejtë i operatorëve të tregut në pikat e shitjes me pakicë, në përputhje me zhvillimet e bursave ndërkombëtare.

Ndryshimi rikthen në vëmendje edhe funksionimin e Bordit të Transparencës për çmimet e karburanteve gjatë periudhës mars–qershor të këtij viti, kur për shkak të luhatjeve të forta në tregjet globale, çmimet maksimale përcaktoheshin përmes një mekanizmi të posaçëm dhe monitoroheshin nga autoritetet.

Mbetet për t’u parë nëse qeveria do të marrë një vendim për rikthimin e këtij mekanizmi, ndërsa aktualisht çmimet vijojnë të përcaktohen nga operatorët e tregut sipas kushteve të ofertës dhe kërkesës.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit