Transmetuar më 05-08-2026, 08:55

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se do të ketë kufizime të përkohshme në qarkullim në autostradën Tiranë–Durrës, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës”.

Sipas njoftimit të ARRSH-së, në datat 6 dhe 7 gusht 2026, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të kryhen punime për montimin e trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.

Për shkak të ndërhyrjeve dhe për garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës, gjatë këtij intervali do të bllokohen përkohësisht dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.

Automjetet që do të udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen përmes rampave të autostradës Thumanë–Kashar.

Mjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në aksin Kashar–Thumanë, ndërsa automjetet që kanë destinacion Tiranën do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme drejt rrugës dytësore, duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes, të respektojnë sinjalistikën e vendosur dhe të planifikojnë udhëtimet duke marrë parasysh kufizimet e përkohshme.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit