

Genoa ka pësuar një humbje të rëndë në ndeshjen miqësore të zhvilluar ndaj Bournemouth, me skuadrën angleze që u imponua me rezultatin e thellë 10-1.
Takimi u zhvillua në një format të pazakontë, me katër periudha nga 30 minuta secila, ndërsa trajnerët shfrytëzuan ndeshjen për të testuar një numër të madh futbollistësh gjatë fazës përgatitore.
Në formacionin titullar të Genoas u aktivizua për herë të parë edhe mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mario Mitaj, i cili bëri debutimin e tij me fanellën e klubit italian.
Bournemouth kaloi në avantazh me Alex Scott në minutën e 13-të, ndërsa Justin Kluivert dyfishoi shifrat. Goli i vetëm për Genoan u realizua nga Ellertsson, por më pas skuadra angleze dominoi plotësisht takimin.
Scott realizoi sërish, ndërsa në listën e golashënuesve u regjistruan edhe Truffert, Brooks, Jebbison, Dacosta dhe Ünal, ky i fundit me dy gola, duke vulosur fitoren e thellë 10-1.
Sipas mediave italiane, kjo konsiderohet humbja më e rëndë në një ndeshje miqësore në historinë e Genoas. Arkivat e PianetaGenoa tregojnë se rekordi i mëparshëm datonte në vitin 1920, kur skuadra italiane ishte mposhtur 8-0 nga Sparta e Pragës.
Pavarësisht rezultatit, ndeshja kishte karakter testues, me të dyja skuadrat që eksperimentuan me formacionet dhe u dhanë minuta lojtarëve në prag të nisjes së sezonit të ri.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






