Transmetuar më 05-08-2026, 08:46

Një konflikt mes të rinjve në Stamboll ka përfunduar në mënyrë tragjike, duke i marrë jetën një 19-vjeçari dhe duke lënë një tjetër të ri të plagosur rëndë.

Ngjarja ndodhi në orët e para të së hënës në lagjen Fatih, ku disa të rinj ishin mbledhur në një park për të zgjidhur një mosmarrëveshje që, sipas mediave turke, kishte nisur në rrjetin social Instagram.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë momentin kur grupi mblidhet në park, ndërsa pak çaste më vonë situata përshkallëzohet në përplasje fizike. Gjatë konfliktit, 19-vjeçari Ali Anzo u godit me thikë në zemër dhe u rrëzua në tokë. Ai humbi jetën si pasojë e plagëve të marra.

Sipas familjarëve, babai i viktimës mbërriti në vendngjarje pak minuta pas incidentit, ndërsa i riu u transportua në spital, ku mjekët nuk arritën t’i shpëtonin jetën.

Nga përleshja mbeti i plagosur rëndë edhe një tjetër i ri, Ali Hilal, i cili po trajtohet në spital dhe ndodhet në gjendje kritike.

Lidhur me ngjarjen, autoritetet turke kanë arrestuar tetë persona, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe përgjegjësitë e konfliktit.

Sipas dëshmisë së një kushëriri të viktimës, të rinjtë kishin rënë fillimisht në konflikt në Instagram dhe më pas kishin lënë takim në park me qëllim sqarimin e situatës. Ai pretendon se sapo 19-vjeçari dhe shoku i tij mbërritën në vendin e takimit, u sulmuan nga grupi tjetër pa asnjë paralajmërim.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit