

Shqipëria do të vijojë të jetë nën ndikimin e masave ajrore të qëndrueshme dhe të nxehta edhe gjatë kësaj të mërkure, duke sjellë mot kryesisht të kthjellët dhe temperatura shumë të larta në të gjithë vendin.
Sipas parashikimit të Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, gjatë orëve të mesditës do të ketë vetëm vranësira të pakta kalimtare, ndërsa i nxehti do të mbetet dominant në të gjitha qarqet.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41°C në Elbasan dhe Berat, duke i renditur këto qytete ndër më të nxehtat e ditës.
Në Shkodër dhe Gjirokastër termometri do të shënojë deri në 40°C, ndërsa në Tiranë, Lezhë dhe Fier temperaturat do të ngjiten deri në 39°C.
Era do të fryjë me drejtim verilindje–veriperëndim, me shpejtësi mesatare deri në 5 m/s. Herë pas here, përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore, era pritet të forcohet deri në 10 m/s.
Sa i përket kushteve në det, valëzimi parashikohet të jetë i ulët, me forcë 1-2 ballë.
Autoritetet u rekomandojnë qytetarëve të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell gjatë orëve të pikut, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.


Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






