

Familja e foshnjës së lindur pa shenja jete, e cila në dhjetor të vitit 2022 përfundoi në lavatriçen e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës dhe spitalin, duke kërkuar 20 mijë euro dëmshpërblim për dëmin e pretenduar.
Sipas dokumenteve të siguruara nga media kosovare Insajder, nëna e foshnjës ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë kur, më 13 dhjetor 2022, gjatë një kontrolli gjinekologjik u konstatua mungesa e rrahjeve të zemrës së fetusit. Më pas, në Spitalin Rajonal të Pejës u krye ndërhyrja kirurgjikale, gjatë së cilës u nxor fetusi i pajetë.
Avokatja e familjes, Saranda Keqekolla-Sadiku, ka bërë të ditur se seanca gjyqësore për këtë çështje do të zhvillohet nesër.
Sipas padisë, familjarët ngritën dyshime kur shkuan në spital për të marrë trupin e foshnjës për ceremoninë mortore dhe konstatuan vonesa në dorëzimin e tij. Ata pretendojnë se trupi nuk ishte trajtuar sipas procedurave, por ishte futur së bashku me çarçafët në lavanderinë e spitalit, çka, sipas tyre, përbën trajtim të papërshtatshëm të një kufome.
Padia mbështetet, ndër të tjera, në epikrizën e lëshuar nga Spitali i Pejës dhe në raportin e Policisë së Kosovës.
Në dosjen hetimore thuhet se për këtë rast janë ngritur akuza ndaj dy personave për veprën penale "Dëmtim i varrezave apo kufomave", ndërsa në proces janë thirrur si dëshmitarë punonjës të stafit spitalor dhe një inspektor shëndetësor.
Sipas aktakuzës, më 16 dhjetor 2022 Policia e Kosovës ka referuar rastin në Prokurori, pas zbulimit se trupi i fetusit kishte përfunduar në lavatriçen e spitalit së bashku me çarçafët.
Në dëshmitë e administruara gjatë hetimeve, nëna e foshnjës ka deklaruar se nuk e kishte parë trupin e pajetë pas lindjes, ndërsa babai ka rrëfyer se kishte shkuar në spital për ta marrë atë për varrim, por ishte njoftuar se foshnja ishte gjetur në lavanderi.
Ndërkohë, punonjësi i lavanderisë ka deklaruar se kishte transportuar rrobat e papastra sipas procedurës dhe se nuk kishte dijeni për praninë e trupit të foshnjës mes çarçafëve. Ai ka treguar se vetëm pasi makina larëse ishte ndaluar, punonjësit konstatuan praninë e trupit të pajetë.
Nga ana tjetër, një infermiere ka deklaruar se trupi i foshnjës ishte mbështjellë me material mbrojtës, ishte identifikuar me emrin e nënës dhe ishte vendosur në hapësirën ku ruheshin placentat, duke përshkruar procedurën e ndjekur pas ndërhyrjes kirurgjikale.
Rasti, që tronditi opinionin publik në Kosovë në fund të vitit 2022, vijon të ndiqet në rrugë gjyqësore, ndërsa familja kërkon përgjegjësi institucionale dhe kompensim për dëmin moral të pësuar.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






