Transmetuar më 04-08-2026, 21:58

Takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dhe kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, nuk ka prodhuar një marrëveshje politike për krijimin e institucioneve të reja.

Bisedimet, të cilat zgjatën më shumë se tri orë, u zhvilluan më 4 gusht, vetëm dy ditë para seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës.

Pas takimit, Kurti dhe Abdixhiku deklaruan se negociatat do të vijojnë me synimin për arritjen e një marrëveshjeje që do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit.

“Një marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme dhe mundësitë që kemi përpara. Kemi nevojë për një marrëveshje që respekton rezultatin zgjedhor dhe kontribuon në stabilitetin institucional”, deklaroi Kurti.

Kryeministri në detyrë paralajmëroi se koha për arritjen e një dakordësie është e kufizuar dhe se, në mungesë të saj, Kosova mund të përballet sërish me zgjedhje të reja.

Një nga çështjet kryesore të diskutimeve pritet të jetë zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Të dy liderët deklaruan se gjatë takimit nuk janë diskutuar emra konkretë, por Kurti këmbënguli për një president konsensual, i cili, sipas tij, duhet të përfaqësojë Republikën dhe të mos jetë pjesë e përplasjeve të përditshme politike.

“Presidenti nuk duhet të jetë një pol i katërt i pushtetit, por një figurë përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse”, u shpreh Kurti.

Ndërkohë, Abdixhiku deklaroi se president konsensual konsiderohet çdo kandidat që siguron 80 vota në Kuvend, duke theksuar se LDK-ja duhet të ndihet e përfaqësuar për të dhënë mbështetjen e saj.

“President konsensual është ai që merr 80 vota. LDK duhet të ndihet e përfaqësuar për t’i dhënë votat e saj”, tha Abdixhiku.

Kreu i LDK-së bëri të ditur se partia e tij nuk ka interes për postin e kryetarit të Kuvendit dhe se, edhe nëse nuk arrihet marrëveshje deri në seancën konstituive, bisedimet mund të vazhdojnë.

LVV-ja ka fituar 58 mandate në Kuvend dhe, së bashku me partitë e komuniteteve joshumicë, ka numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë. Megjithatë, për zgjedhjen e presidentit kërkohet një shumicë më e gjerë, me praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë gjatë votimit.

Një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së, e cila ka fituar 18 mandate, do të siguronte potencialisht numrat e nevojshëm për procesin e zgjedhjes së presidentit.

Ndërkohë, ftesat e Kurtit për takim me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, janë refuzuar nga të dy liderët. PDK-ja ka deklaruar se do të qëndrojë në opozitë.

Takimi mes Kurtit dhe Abdixhikut ishte i dyti mes tyre pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ndërsa çështja e krijimit të institucioneve të reja mbetet në qendër të zhvillimeve politike në Kosovë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit