Transmetuar më 04-08-2026, 21:53

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 66-të, me qytetarët që janë mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas kanë marshuar drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.

Gjatë tubimit, protestuesit kanë kërkuar sërish dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të qeverisë së tij. Në shesh janë dëgjuar edhe thirrje të ndryshme politike, ndërsa protestuesit kanë shpalosur një mesazh gjigant: “Koha për llogari”.

Tubimi është shoqëruar edhe me reagime kundër reformës së re territoriale, e cila ka shkaktuar protesta edhe në disa qytete të vendit.

Aktivisti Edison Lika deklaroi se kundërshtimet ndaj kësaj reforme lidhen me frikën, sipas tij, për përqendrimin e pushtetit vendor në më pak duar.

“Pikërisht tani po bëhet kjo reformë, sepse duan që pushteti lokal të grumbullohet gjithnjë e më shumë në më pak duar”, u shpreh ai gjatë protestës.

Edhe aktivisti Ilir Xhemalaj kritikoi planin për riorganizimin territorial, duke përmendur si shembuj bashkitë e Libohovës, Belshit dhe Patosit, për të cilat pretendoi se rrezikojnë të preken nga ndryshimet e propozuara.

Ai ngriti gjithashtu shqetësime për situatën ekonomike, rritjen e çmimeve dhe largimin e qytetarëve nga vendi, duke e lidhur këtë me politikat e qeverisë.

Protestuesit deklaruan se do të vijojnë tubimet deri në realizimin e kërkesave të tyre, ndërsa protesta e radhës pritet të zhvillohet në ditët në vijim.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit