

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, duke shprehur shqetësimin se disa nga dispozitat e saj cenojnë lirinë e medias dhe kufizojnë ushtrimin e profesionit të gazetarit.
Sipas AGSH-së, një nga ndryshimet më problematike është ndalimi i përdorimit të telefonit celular nga gazetarët gjatë zhvillimit të seancave gjyqësore. Në reagim theksohet se telefoni celular është mjeti kryesor i punës së gazetarit për raportimin në kohë reale, komunikimin me redaksinë dhe informimin e publikut.
"Asociacioni vlerëson se një masë e tillë nuk i shërben administrimit të drejtësisë, por kufizon në mënyrë të pajustifikuar të drejtën kushtetuese të informimit publik", thuhet në reagim, duke nënvizuar se kjo ndodh në një kohë kur në GJKKO po zhvillohen procese gjyqësore me interes të lartë publik.
Sa i takon pranisë së kamerave në sallat e gjyqit, AGSH thekson se Shqipëria nuk ka nevojë për kufizime të reja, por për zbatim të njëtrajtshëm të legjislacionit në fuqi dhe të Udhëzuesit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Sipas asociacionit, çdo kërkesë për filmim duhet të shqyrtohet rast pas rasti dhe çdo kufizim të jetë proporcional, i arsyetuar dhe i bazuar në ligj.
Në përfundim të reagimit, AGSH i bën thirrje GJKKO-së të shtyjë hyrjen në fuqi të rregullores dhe të nisë një proces konsultimi me organizatat e medias, komunitetin e gazetarëve dhe aktorët e tjerë të interesuar.
Asociacioni shprehet i gatshëm të kontribuojë me ekspertizën dhe rekomandimet e tij për hartimin e një kuadri që garanton njëkohësisht mbarëvajtjen e procesit gjyqësor dhe të drejtën e medias për të informuar publikun në mënyrë të lirë, profesionale dhe të përgjegjshme.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






