Transmetuar më 04-08-2026, 18:51

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në qytetin e Barit, në Itali, ku një biletë lotarie fituese me vlerë 1 milion euro u gjet mes mbeturinave, pasi ishte hedhur gabimisht nga pronarja e saj.

Sipas kompanisë së menaxhimit të mbetjeve SANB, bileta u gjet "ende e paprekur" brenda kamionit të mbeturinave, pas një operacioni të posaçëm kërkimi të zhvilluar nga punonjësit e shërbimit.

Ngjarja nisi të dielën, kur gruaja shkoi në një pikë shitjeje pranë banesës për të verifikuar biletën pas hedhjes së shortit. Pajisja e dyqanit e shfaqi biletën si të papagueshme, pasi pikat e vogla të shitjes nuk autorizohen të kryejnë pagesa për fitime të mëdha. Duke besuar se nuk kishte fituar, ajo e la biletën në dyqan dhe u largua.

Pak më vonë, një familjar i saj e njoftoi se kombinimi i numrave që kishte luajtur rezultonte fitues. Familja u kthye menjëherë në dyqan, por bileta ishte hedhur tashmë në kosh, ndërsa kamioni i mbeturinave ishte larguar.

Pas sinjalizimit, punonjësit arritën të lokalizonin kamionin dhe e transportuan atë në ambientet e një kompanie të specializuar, ku u zhvillua një kontroll i imtësishëm për shkak të kushteve të sigurisë. Pas një dite kërkimesh mes mbeturinave, u gjetën disa bileta lotarie, mes të cilave edhe bileta fituese me vlerë 1 milion euro.

Drejtori i SANB-së, Roberto Nicola Toscano, bëri të ditur se fituesja shpërtheu në lot sapo mori lajmin se bileta ishte gjetur. "Do ta kisha përqafuar, por po flisnim në telefon", u shpreh ai, duke përshkruar emocionet e gruas, e cila për pak sa nuk humbi një fitim prej 1 milion eurosh. ANSA

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit