

TIRANË – Pavarësisht rënies së ndjeshme të çmimit të naftës në bursën e Mesdheut, drejtuesit e automjeteve në Shqipëri vijojnë të furnizohen me të njëjtin çmim prej 214 lekësh për litër, pa reflektim të uljes në tregun vendas.
Sipas të dhënave të bursës Platts dhe statistikave të Doganave, çmimi i naftës së importuar ka pësuar një rënie prej rreth 9.7%, duke zbritur nga 1,406 dollarë për ton më 31 korrik në 1,270 dollarë për ton në zhdoganimet e datës 3 gusht.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent dhe karburantet e rafinuara kanë shënuar rënie gjatë ditëve të fundit, të ndikuara nga pritshmëritë për marrëveshje të reja tregtare dhe ulja e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Ndërkohë, rritja e mëparshme e çmimit në bursë u reflektua menjëherë në tregun shqiptar. Nga 29 deri më 31 korrik, çmimi i naftës u rrit nga 1,393 në 1,406 dollarë për ton, ndërsa më 1 gusht çmimi në pikat e karburantit në Shqipëri u rrit nga 206 në 214 lekë për litër.
Megjithatë, ulja e mëvonshme e kostos së importit nuk është pasqyruar ende në çmimin final për konsumatorët.
Ekspertët e tregut theksojnë se luhatjet në bursat ndërkombëtare nuk reflektohen gjithmonë me të njëjtën shpejtësi në tregun vendas. Sipas tyre, mbetet për t’u parë nëse dhe kur rënia e kostos së importit do të sjellë ulje të çmimeve në pikat e karburantit në Shqipëri.
Për momentin, nafta vijon të tregtohet me 214 lekë për litër, ndërsa konsumatorët presin që ulja e çmimit në tregjet ndërkombëtare të reflektohet edhe në tregun vendas.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






