Transmetuar më 04-08-2026, 14:10

TIRANË – Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka reaguar pas raportimeve në media lidhur me kallëzimin penal të paraqitur në Itali ndaj ish-drejtuesit të institucionit, Altin Dumani, duke sqaruar rrethanat e procedimit dhe lidhjen e tij me një çështje penale në Shqipëri.

Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi Petrit Çela i është drejtuar drejtuesit të SPAK-ut më 20 maj dhe 18 qershor 2026, duke kërkuar përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku janë të pandehur Marjus Lulaj dhe Mario Çela, familjarë të Petrit Çelës.

SPAK bën me dije se në mbështetje të kësaj kërkese, Petrit Çela ka paraqitur si argument kallëzimin penal të depozituar në Verona të Italisë. Pas shqyrtimit të kërkesës dhe dokumentacionit përkatës, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme vendosi më 19 qershor 2026 mospranimin e saj, duke e konsideruar të pambështetur në ligj dhe në prova.

Sipas SPAK, dokumentacioni i paraqitur tregon se në Prokurorinë pranë Gjykatës së Veronës është regjistruar një procedim penal për veprën e "shpifjes" (calunnia), bazuar në kallëzimin e Petrit Çelës ndaj Altin Dumanit.

Megjithatë, Prokuroria e Veronës, pas shqyrtimit të çështjes, ka kërkuar arkivimin e procedimit më 21 prill 2026, ndërsa Petrit Çela ka kundërshtuar këtë kërkesë, duke bërë që çështja të kalojë për shqyrtim në Gjykatën e Veronës.

SPAK sqaron gjithashtu se i vetmi rol i Altin Dumanit në bashkëpunimin me autoritetet italiane ka qenë nënshkrimi, në cilësinë e drejtuesit të institucionit, i një shkrese zyrtare dhe i marrëveshjes për krijimin e Skuadrës së Përbashkët Hetimore (JIT) mes SPAK dhe Prokurorisë së Veronës, një iniciativë e kërkuar nga pala italiane.

Sipas institucionit, Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor në procedimet penale të zhvilluara në Itali dhe Shqipëri, nuk ka kryer veprime hetimore, sekuestrime apo marrje në pyetje dhe ka marrë dijeni për procedimin penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pasi Prokuroria italiane kishte kërkuar tashmë arkivimin e çështjes.

Në përfundim të reagimit, SPAK thekson se nga kronologjia e ngjarjeve rezulton një lidhje mes kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë të Petrit Çelës në procedimin penal nr. 193/2023, duke argumentuar se kallëzimi është përdorur si bazë procedurale për të kërkuar përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga hetimi.

Njoftimi

Duke marrë shkak nga disa lajme dhe artikuj të publikuar në disa nga mediat vendase, të cilat i referohen burimeve të mediave lokale të Verona-s në Republikën e Italisë, sqarojmë opinionin publik si vijon :

Shtetasi Petrit Çela i është drejtuar Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, më 20.05.2026 dhe më 18.06.2026, me kërkesë për përjashtimin e prokurorit Altin Dumani nga procedimi penal nr. 193/2023, ku janë të proceduar penalisht të pandehurit Marjus Lulaj dhe Mario Çela (familjarët e shtetasit Petrit Çela), procedim penal në të cilin prokurori Altin Dumani ushtron funksionin e prokurorit të çështjes.

Në mbështetje të kërkesës për përjashtim, shtetasi Petrit Çela ka paraqitur pikërisht faktin e kallëzimit penal të ngritur në Verona, Itali. Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pasi ka vlerësuar kërkesën e paraqitur dhe aktet ku ajo është mbështetur, me vendimin e datës 19.06.2026 ka vendosur “Mospranimin e kërkesës”, si e pambështetur në ligj dhe në prova.

Nga dokumentacioni i paraqitur nga shtetasi Petrit Çela rezulton se në Prokurorinë e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, Itali, është regjistruar procedimi penal nr. R.G.N.R. 3514/2026 – R.G. GIP 2877/2026, për veprën penale të “Shpifjes” (calunnia), të parashikuar nga neni 368 i Kodit Penal italian, mbi bazën e një kallëzimi të paraqitur nga shtetasi Petrit Çela ndaj prokurorit Altin Dumani, i cili ka ushtruar funksionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga data 19 dhjetor 2022 deri më 19 dhjetor 2025.

Prokuroria e Republikës pranë Gjykatës së Veronës, pas shqyrtimit të akteve, ka paraqitur më datë 21.04.2026 kërkesë për arkivim (richiesta di archiviazione) të procedimit penal, e depozituar më 14.05.2026. Ndaj kësaj kërkese, personi që ka paraqitur kallëzimin penal Petrit Çela ka paraqitur kundërshtim (opposizione) më 11.05.2026, çka ka çuar në caktimin e një seance gjyqësore pranë Seksionit GIP/GUP të Gjykatës së Veronës.

Nga aktet e administruara rezulton se, i vetmi element i identifikuar që lidh prokurorin Altin Dumani me bashkëpunimin ndërkombëtar në fjalë është nënshkrimi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, i një shkrese institucionale, më datë 11.07.2024, si dhe i një Marrëveshjeje, më datë 26.08.2024, për krijimin e një Skuadre të Përbashkët Hetimore (JIT) mes Prokurorisë së Posaçme dhe Prokurorisë së Republikës pranë Gjykatës së Veronës, nismë e ardhur nga vetë autoritetet italiane në kuadër të procedimit penal nr. 10792/2023.

Prokurori Altin Dumani nuk ka qenë pjesë e grupit hetimor të procedimeve penale nr.10792/2023 (Itali) dhe nr.123/2024 (Prokurori e Posaçme), nuk ka kryer veprime hetimore, marrje në pyetje, sekuestrime apo kërkesë për sekuestrim, si dhe ka marrë dijeni për ekzistencën e procedimit penal në Itali vetëm në muajin maj 2026, pra pas paraqitjes së kërkesës për arkivim nga ana e Prokurorisë italiane.

Nga kronologjia e sipërpërmëndur rezulton lidhja ndërmjet kallëzimit të paraqitur në Itali dhe interesit të drejtpërdrejtë familjar që kallëzuesi Petrit Çela ka në procedimin penal nr.193/2023 të Prokurorisë së Posaçme, si dhe përdorimi i vetë faktit të kallëzimit penal si bazë procedurale për kërkesën e përjashtimit të prokurorit të çështjes.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit