Transmetuar më 04-08-2026, 13:39

VLORË – Policia Kufitare e Vlorës ka intensifikuar kontrollet në det gjatë sezonit turistik, me qëllim rritjen e sigurisë së lundrimit dhe parandalimin e aksidenteve në zonat e frekuentuara nga turistët.

Gjatë patrullimeve në Gjirin e Vlorës dhe në zonën e Shpellës së Haxhi Aliut, efektivët kanë kryer kontrolle të imtësishme ndaj mjeteve lundruese, kryesisht gomoneve dhe skafeve, duke verifikuar dokumentacionin dhe respektimin e rregullave të sigurisë.

Drejtuesit e mjeteve janë këshilluar që të pajisin të gjithë pasagjerët me jelekë shpëtimi, të respektojnë rregullat e lundrimit dhe të mos lejojnë turistët të qëndrojnë mbi tubolarët e gomoneve gjatë lëvizjes.

Kontrolle të posaçme janë zhvilluar edhe pranë Shpellës së Haxhi Aliut, një nga destinacionet më të vizituara në zonë. Policia Kufitare ka kërkuar që mjetet lundruese të mos qëndrojnë me motor të ndezur pranë hyrjes së shpellës dhe të mos futen apo të lejojnë zhytje brenda saj, me qëllim mbrojtjen e vizitorëve dhe ruajtjen e zonës.

Shefja e Stacionit të Policisë Kufitare për Triportin, Amarilda Shabani, bëri të ditur se kontrollet do të vijojnë çdo ditë përgjatë gjithë sezonit veror, për të garantuar zbatimin e rregullave dhe për të shmangur incidentet në det.

Sipas saj, vetëm gjatë muajit korrik janë vendosur 32 masa administrative dhe janë bllokuar 32 mjete lundruese për shkelje të ndryshme të legjislacionit detar.

Në dy raste, për shkelje të rënda, janë vendosur gjoba me vlerë 500 mijë lekë të rinj secila.

Policia Kufitare u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve lundruese që të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë rregullat e sigurisë dhe të vendosin mbrojtjen e jetës së pasagjerëve në prioritet gjatë lundrimit.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit