

CËRRIK — Policia e Shtetit ka goditur një rast të krimeve mjedisore në fshatin Gostimë të Cërrikut, ku gërryerja e paligjshme e shtratit të lumit Devoll kishte sjellë si pasojë devijimin e rrjedhës dhe rrezikimin e tokave bujqësore.
Në kuadër të operacionit, autoritetet vunë në pranga tre persona dhe shpallën në kërkim administratorin e subjektit. Të arrestuarit janë L. X., 35 vjeç, dhe shtetasi indian L. B., 42 vjeç (të dy punonjës të subjektit), si dhe B. T., 46 vjeç, i cili u arrestua pasi kishte ngritur një ndërtim pa leje në afërsi të zonës. Ndërkohë, administratori i subjektit, 22-vjeçari K. H., është shpallur në kërkim.
Nga hetimet e kryera rezultoi se subjekti ushtronte aktivitetin e gërryerjes së shtratit të lumit jashtë koordinatave të përcaktuara në lejen përkatëse. Si pasojë e kësaj veprimtarie të paligjshme, ishte devijuar rrjedha e ujit dhe ishin rrezikuar tokat bujqësore të zonës.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi një ekskavator dhe një kamion teknologjik që përdoreshin për gërryerjet. Përveç masave penale nga ana e Policisë, subjekti është ndëshkuar edhe administrativisht nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) Tiranë dhe IMT Cërrik, ndërsa materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






