Transmetuar më 04-08-2026, 10:39

ITALI – Një kompani shqiptare ka paraqitur një padi për shpifje në Itali ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, pas sekuestrimit të disa pasurive në Verona, të cilat autoritetet dyshonin se ishin blerë me të ardhura nga veprimtari kriminale.

Sipas raportimit të medias italiane L’Arena, në bazë të tezës së paraqitur nga SPAK, një godinë me 30 njësi tregtare dhe zyra në rrugën "Murari Bra", si edhe një kompleks në Nogarole Rocca, të lidhura me shoqërinë Meral sh.p.k., në pronësi të familjes Cela, dyshohej se ishin financuar me të ardhura nga trafiku i kokainës.

Pas publikimit të akuzave, llogaritë bankare të kompanisë u sekuestruan, kreditë u bllokuan dhe aktiviteti ekonomik u paralizua. Megjithatë, një muaj më vonë, gjyqtarja e hetimeve paraprake në Verona, Paola Vacca, revokoi masën e sekuestros dhe urdhëroi kthimin e të gjitha pasurive, pasi dokumentacioni i paraqitur nga mbrojtja u konsiderua i mjaftueshëm për të provuar origjinën e ligjshme të pasurisë.

Sipas vendimit të gjykatës, avokatët e familjes Cela paraqitën prova që, sipas gjykatës, tregonin se investimet ishin realizuar me të ardhura të ligjshme dhe se anëtarët e familjes nuk rezultonin me precedentë penalë.

Në raportim thuhet gjithashtu se gjyqtarja refuzoi kërkesën për zgjatjen e hetimeve, duke argumentuar se nuk kishte elemente që justifikonin vazhdimin e tyre, ndërsa dokumentacioni i dorëzuar nuk evidentonte të ardhura të përfituara në mënyrë të paligjshme.

Pasojat financiare për kompaninë, sipas medias italiane, vazhduan edhe pas heqjes së sekuestros, pasi bankat ndërprenë marrëdhëniet me shoqërinë, duke krijuar vështirësi në operimin e saj.

Përfaqësuesi ligjor i Meral sh.p.k. më pas paraqiti një kallëzim penal për shpifje me kallëzim të rremë ndaj Altin Dumanit. Prokuroria e Veronës kërkoi pushimin e procedimit, por gjyqtari Enrico Zuccon nuk e pranoi këtë kërkesë, duke urdhëruar kryerjen e hetimeve shtesë.

Sipas vendimit, Prokuroria italiane duhet të verifikojë dokumentacionin e përcjellë nga autoritetet shqiptare, nëse SPAK ishte në dijeni të vendimeve të mëparshme për pushimin e hetimeve ndaj familjes Cela dhe nëse këto vendime iu komunikuan autoriteteve italiane.

Nga ana tjetër, mbrojtja e Altin Dumanit ka kërkuar pushimin e çështjes, duke argumentuar se kallëzimi synon ta vendosë ish-kreun e SPAK në kushtet e papajtueshmërisë me hetime të tjera që lidhen me krimin e organizuar.

Për momentin, procedimi mbetet i hapur. Gjykata i ka lënë Prokurorisë së Veronës një afat prej dy muajsh për të kryer verifikimet e kërkuara, pas të cilave palët do të paraqiten sërish para gjykatës për vlerësimin e rezultateve të hetimeve. L’arena

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit