Transmetuar më 04-08-2026, 09:28

SPANJË – Situata në enklavën spanjolle të Ceutës mbetet e tensionuar pas fluksit masiv të emigrantëve nga Maroku, ku sipas raportimeve rreth 60 mijë persona kaluan kufirin në një nga episodet më të mëdha migratore të regjistruara ndonjëherë në këtë territor.

Pas ngjarjeve të ditëve të fundit, rrugët e qytetit u shndërruan në skena përplasjesh mes emigrantëve dhe forcave të Policisë Kombëtare Spanjolle, të cilat u përforcuan për të rikthyer kontrollin e situatës.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë një grup emigrantësh duke transportuar një person të plagosur, të mbështjellë me një batanije, ndërsa pretendojnë se ai ishte goditur nga policia. Në video dëgjohen edhe thirrje fetare nga turma. Më pas, tensionet u përshkallëzuan në përleshje të tjera, ku efektivët e policisë shihen duke përdorur shkopinj gjatë ndërhyrjeve për shpërndarjen e protestuesve.

Në përplasjet janë përfshirë edhe disa banorë vendas, të cilët sipas raportimeve kanë ndihmuar policinë në ndalimin e disa emigrantëve që kishin hyrë në mënyrë të paligjshme në territor. Autoritetet spanjolle bëjnë me dije se shumica e emigrantëve që kaluan kufirin janë kthyer tashmë në Marok.

Disa prej emigrantëve kanë deklaruar se u nxitën nga postime virale në rrjetet sociale, të cilat pretendonin se ekzistonin mundësi të reja për të hyrë në territorin spanjoll. Ndërkohë, analistët nuk përjashtojnë mundësinë që autoritetet marokene të kenë toleruar kalimet masive për të ushtruar presion diplomatik ndaj Spanjës, në një kohë kur marrëdhëniet mes Madridit dhe Algjerisë janë afruar.

Situata është ndërlikuar më tej edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë të Spanjës, sipas të cilit emigrantët e kapur në det gjatë përpjekjeve për të mbërritur në Ceuta ose Melilla nuk mund të deportohen menjëherë në Marok.

BE thërret takim urgjent

Kriza në Ceuta ka alarmuar Bashkimin Evropian. Njëzet e dy shtete anëtare kanë kërkuar zhvillimin e një takimi urgjent për të koordinuar një përgjigje të përbashkët dhe për të diskutuar masat që do të parandalonin kalime të tjera të pakontrolluara. Komisioni Evropian ka njoftuar zhvillimin e një videokonference me ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare.

Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka kritikuar reagimin e disa vendeve të BE-së, duke e cilësuar atë si "egoist". Qeveria e tij është vënë gjithashtu nën kritika për programin e legalizimit të rreth 500 mijë emigrantëve pa dokumente.

Sipas autoriteteve spanjolle, të paktën 72 persona kanë humbur jetën gjatë krizës së fundit në Ceuta, ndërsa pala marokene raporton një numër më të ulët viktimash. Fluksi i fundit konsiderohet si kalimi më i madh masiv i emigrantëve i regjistruar ndonjëherë në këtë enklavë spanjolle, ndërsa shumica e personave që hynë në territor janë kthyer tashmë në Marok.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit