

Tiranë – Muaji gusht ka nisur me një rënie të mëtejshme të euros në kursin e këmbimit me lekun, duke shënuar një rekord të ri historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, euro u këmbye të hënën me 93.36 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Që nga fillimi i vitit 2026, euro është zhvlerësuar me 3.5% kundrejt lekut, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia ka arritur në 4.15%.
Sipas agjentëve të këmbimit valutor, dobësimi i monedhës europiane në këtë periudhë lidhet kryesisht me efektin sezonal të verës. Piku i sezonit turistik shoqërohet me rritje të flukseve hyrëse të valutës, duke shtuar ofertën e euros në treg dhe duke ushtruar presion për uljen e kursit të këmbimit.
Të dhënat historike tregojnë se kulmi i këtij efekti sezonal zakonisht regjistrohet nga gjysma e dytë e korrikut deri në gjysmën e parë të gushtit, çka e bën zhvillimin aktual në përputhje me tendencat e viteve të mëparshme.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se rënia e euros nuk lidhet vetëm me faktorët sezonalë. Zhvlerësimi i saj ndaj lekut është një prirje që vijon prej më shumë se një dekade dhe është përshpejtuar pas pandemisë, paralelisht me rritjen e sektorëve të turizmit dhe pasurive të paluajtshme.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, bilanci i pagesave u përmirësua ndjeshëm gjatë vitit 2025, ndërsa deficiti i llogarisë korrente zbriti në 178 milionë euro, rreth 70% më pak krahasuar me vitin 2024. Kontributin kryesor në këtë përmirësim e dha sektori i turizmit.
Nga ana tjetër, tregu i pasurive të paluajtshme vijon të jetë destinacioni kryesor i investimeve të huaja direkte. Në tremujorin e parë të vitit 2026, investimet e huaja në këtë sektor arritën në 172 milionë euro, një rritje prej 65% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këto investime përbënin rreth 43% të totalit të investimeve të huaja direkte, përqindja më e lartë e regjistruar ndonjëherë.
Në fund të tremujorit të parë, stoku i investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme arriti në 2.83 miliardë euro, duke u rritur me 486% që nga fillimi i vitit 2020.
Ekspertët vlerësojnë se mbi forcimin e lekut ka ndikuar edhe politika fiskale e qeverisë, e cila ka kufizuar ofertën e monedhës vendase në treg. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, suficiti buxhetor arriti në 52.8 miliardë lekë, ose 60% më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






