

Gjashtë aksidente rrugore janë regjistruar gjatë kësaj të hëne në zona të ndryshme të vendit, duke shkaktuar një viktimë dhe nëntë persona të plagosur.
Një nga ngjarjet më të rënda u shënua në aksin rrugor Fier–Lushnjë, pranë fshatit Vajkan, ku dy automjete u përplasën dhe përfunduan në kanalin anësor të autostradës. Përplasja e fortë la të plagosur katër persona, të cilët u transportuan me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Fierit.
Pak minuta më pas, një aksident zinxhir u regjistrua në autostradën Durrës–Tiranë, pak para Sukthit, në drejtim të Tiranës. Në përplasje u përfshinë shtatë automjete, por fatmirësisht pati vetëm dëme materiale. Ngjarja shkaktoi bllokim të qarkullimit dhe radhë të gjata automjetesh.
Një tjetër aksident ndodhi rreth orës 13:30 në hyrje të fshatit Stan-Karbunarë, në aksin e vjetër rrugor nacional Lushnjë–Berat. Një automjet me të cilin udhëtonte një 28-vjeçare është përplasur me barrierat anësore të një ure dhe, pas disa rrotullimeve, ka përfunduar i kthyer në njërën anë në mes të rrugës. Drejtuesja e mjetit u transportua me urgjencë në Spitalin e Lushnjës për ndihmë mjekësore.
Në lagjen Sheq i Madh në Fier, një tjetër aksident la të plagosur drejtuesin e një motomjeti, pas përplasjes me një automjet.
Në mbrëmje, një aksident fatal u regjistrua në Ksamil, ku humbi jetën 20-vjeçari Antonio Mateli. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 18:10 në rrugën e Plazhit, në zonën e Lagunës, ku një automjet tip “Benz”, me drejtues shtetasin A. Gj., rreth 22 vjeç, humbi kontrollin dhe doli nga rruga.
“Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri i automjetit, shtetasi A. M., rreth 20 vjeç. Drejtuesi i automjetit është transportuar në spital për ndihmë mjekësore dhe, sipas informacionit paraprak, ndodhet jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.
Ndërkohë, pak pas orës 19:30, tre persona të tjerë mbetën të plagosur pas një aksidenti në aksin nacional Elbasan–Cërrik, ku një automjet dhe një furgon u përplasën me njëri-tjetrin.
Brenda vetëm 12 orësh, bilanci i aksidenteve rrugore në vend ishte një viktimë dhe nëntë të plagosur, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë rrugore gjatë sezonit veror, kur fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






