

Ish-banori i "Big Brother VIP Albania 5", Stenaldo Mëhilli, ka lënë të hapur mundësinë e një angazhimi në politikë. Gjatë një interviste për emisionin "Pushime On Top", ai u shpreh se e konsideron seriozisht këtë fushë, pasi beson se ka diçka për të kontribuar.
I pyetur nga moderatorja Lei Kraja nëse e sheh veten në politikë, pas rolit të tij si lider në shtëpinë e BBV, Mëhilli tha se vendi ka nevojë për një qasje ndryshe ndaj udhëheqjes.
"Unë mendoj që ne kemi nevojë për liderë që nuk u shkon pushteti. Në sensin që kemi nevojë për njerëz në politikë të cilët nuk e kanë pushtetin si prioritetin e tyre kryesor. Politika nuk është e bukur, është përgjegjësi," u shpreh ai.
Sipas këngëtarit, politika duhet parë si një mision në shërbim të qytetarëve dhe jo si një mënyrë për të ushtruar pushtet.
"Unë dëshiroj të jap nga vetja dhe besoj se përfaqësimi i shqiptarëve do të ishte një mënyrë që do të ma lejonte këtë. Politikën e shoh si një fushë me rëndësi, ku mund të bëj për vendin tim atë që besoj se i duhet," tha Mëhilli.
Ai shtoi se Shqipërisë i duhen njerëz të përgatitur dhe të përgjegjshëm në politikë.
"Na duhen njerëz cilësorë, por mbi të gjitha njerëz që kuptojnë se në detyra dhe misione të caktuara nuk është vetja prioriteti. Mendoj se pikërisht për këtë arsye jetojmë në një sistem që nuk e kuptojmë ku e ka defektin," deklaroi ai.
Megjithëse nuk konfirmoi një angazhim konkret, Mëhilli la të kuptohet se nuk e përjashton një hyrje në politikë në të ardhmen.
"Nuk dua ta shoh politikën si diçka interesante. Dua ta shoh si mundësinë për t’u dhënë njerëzve atë që u duhet: dikë të mirë që t’i përfaqësojë. Modestisht, besoj se kam diçka për të dhënë në këtë drejtim," përfundoi ai.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






