

Deputeti i Partisë Socialiste, Vullnet Sina, ka dalë publikisht kundër propozimit për bashkimin e Bashkisë Selenicë me Bashkinë e Vlorës në kuadër të reformës së re administrativo-territoriale, duke kërkuar që Selenica të ruajë statusin e saj si bashki më vete.
Sina argumenton se Selenica plotëson kriteret për të funksionuar si njësi e pavarur vendore dhe se debati nuk duhet të fokusohet te numri i bashkive, por te financimi i pushtetit vendor.
Sipas tij, aktualisht rreth 90% e buxhetit të shtetit administrohet nga qeveria qendrore, ndërsa vetëm 10% u shpërndahet 61 bashkive, çka sipas deputetit është një ndarje e padrejtë.
Ai thekson se rritja e transfertave të pakushtëzuara për pushtetin vendor do të ishte një zgjidhje më efektive sesa reduktimi i numrit të bashkive, duke mundësuar investime më të mëdha në infrastrukturë dhe shërbime.
Duke iu referuar raportit "Reforma Administrativo-Territoriale 2.0", Sina nënvizon se Bashkia Selenicë renditet e 29-ta në nivel kombëtar për funksionalitet, me një Indeks Funksionaliteti prej 57.3, si dhe e 29-ta për performancë ekonomike, me një indeks 42.2, mbi mesataren kombëtare.
Ai shton se paga mesatare në bashki është 58.386 lekë, ndërsa detyrimet e prapambetura janë vetëm 3.6%, tregues që, sipas tij, dëshmojnë stabilitet ekonomik dhe administrativ.
Deputeti socialist pranon se Selenica penalizohet vetëm nga Indeksi i Masës Urbane, për shkak të shpërndarjes së popullsisë në shumë fshatra, por argumenton se pikërisht kjo e bën të domosdoshme ruajtjen e bashkisë, në mënyrë që qytetarët të mos mbeten edhe më larg shërbimeve publike.
Në reagimin e tij, Sina sjell në vëmendje edhe potencialin ekonomik të zonës, duke përmendur minierën e bitumit të Selenicës dhe zonën naftëmbajtëse të Gorrishtit, të cilat, sipas tij, japin një kontribut të rëndësishëm në ekonominë kombëtare.
Ai kritikon gjithashtu mënyrën se si shpërndahet renta minerare, duke theksuar se bashkitë përfitojnë vetëm 5% të saj dhe kërkon që kjo përqindje të rritet në 30% për njësitë vendore që mbajnë barrën e shfrytëzimit të pasurive natyrore.
Në përfundim, Vullnet Sina shprehet se Selenica i plotëson të gjitha kriteret për të vijuar funksionimin si bashki më vete dhe i bën thirrje Kuvendit të marrë në konsideratë zërin e qytetarëve gjatë shqyrtimit të reformës së re administrativo-territoriale.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






