

Zjarre të përmasave të mëdha kanë përfshirë lindjen e shtetit të Washingtonit në SHBA, duke detyruar evakuimin e rreth 60 mijë banorëve në zonën e Spokane. Deri tani, të paktën 600 shtëpi, biznese dhe ndërtesa të tjera janë shkatërruar nga flakët.
Zjarret në dhe përreth Spokane, qyteti i dytë më i madh i shtetit, kanë djegur rreth 21 kilometra katrorë gjatë fundjavës dhe janë pjesë e dhjetëra vatrave aktive që kanë përfshirë perëndimin e Shteteve të Bashkuara.
Në të gjithë shtetin e Washingtonit, sipas autoriteteve, janë djegur rreth 1 mijë kilometra katrorë, ndërsa disa nga vatrat, përfshirë ato pranë Spokane, mbeten ende jashtë kontrollit.
Deri më tani nuk raportohet për viktima apo persona të zhdukur, por autoritetet paralajmërojnë se situata mbetet kritike dhe përpjekjet për shuarjen e flakëve janë ende në fazat e para.
Pamjet nga zona tregojnë shtëpi të përfshira nga flakët, re të dendura tymi dhe lagje të tëra të dëmtuara. Zyrtarët shprehen të shqetësuar edhe për kushtet atmosferike, pasi moti i nxehtë dhe i thatë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
"Nuk jemi ende jashtë rrezikut," deklaroi senatorja Maria Cantwell gjatë një konference për shtyp në Spokane.
Ndërkohë, hetuesit po punojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarreve.
Situata mbetet e rënduar edhe në shtete të tjera amerikane. Në Idaho dhe Oregon, zjarrfikësit vijojnë prej dhjetë ditësh betejën me një vatër të madhe që ka djegur rreth 1,360 kilometra katrorë kullota dhe kërcënon mbi 600 banesa e rreth 800 struktura të tjera.
Edhe në Utah, një tjetër zjarr është përhapur me shpejtësi gjatë fundjavës, duke arritur një sipërfaqe prej rreth 145 kilometrash katrorë. Sipas autoriteteve lokale, mbi 100 krerë bagëti kanë ngordhur si pasojë e flakëve.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






