Transmetuar më 03-08-2026, 17:14

KLOS – Është publikuar fotoja e minatorit Ilir Kolaveri, 40 vjeç, i cili humbi jetën tragjikisht pas një aksidenti në minierën e kromit në Tërnovë.

Kolaveri u rrëzua aksidentalisht në galeri dhe më pas u zu poshtë nga një masiv kromi. Pas kërkimeve dhe operacionit të shpëtimit, trupi i tij u nxor nga thellësia e minierës pasditen e së shtunës.

40-vjeçari ishte baba i tre fëmijëve të mitur, dy djemve dhe një vajze. Sot familjarët, miqtë dhe komuniteti do t’i japin lamtumirën e fundit.

Për ndarjen e tij nga jeta ka reaguar edhe Njësia Administrative Suç-Kurdari, në Bashkinë Klos, e cila e ka cilësuar Kolaverin si një njeri të dashur për familjen, miqtë dhe komunitetin.

“Dhimbje e madhe për familjen Kolaveri nga fshati Suç. Nga galeritë e minierës humbëm një baba, vëlla, kushëri dhe mik të mirë për të gjithë ata që e njohën Ilirin. Zoti i dhëntë durim familjes në këtë dhimbje të madhe”, thuhet në dedikimin e publikuar.

Ndërkohë, lidhur me aksidentin, Policia e Bulqizës ka arrestuar drejtuesin teknik të subjektit minerar, Përparim Koçi, 63 vjeç, pasi dyshohet se nuk ka zbatuar rregullat e mbrojtjes në punë, duke sjellë pasojë aksidentin fatal.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit