

PRISHTINË – Procesi për formimin e institucioneve të reja në Kosovë ka hyrë në një fazë të re, pasi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka konfirmuar pranimin e ftesës për takim nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili, i cili konfirmoi se subjekti politik ka marrë ftesën për konsultime në kuadër të përpjekjeve për zgjidhjen e situatës politike dhe krijimin e institucioneve të reja.
AAK është ndër partitë e para që ka bërë publike pranimin e ftesës nga Kurti, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zhvillohen takime të tjera mes përfaqësuesve të partive politike.
Ndërkohë, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, është shprehur optimist për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), e cila do të përfshinte jo vetëm formimin e qeverisë, por edhe ndarjen e posteve të larta shtetërore.
Konjufca bëri të ditur se negociatat me LDK-në pritet të hyjnë në një fazë më të thelluar, duke përfshirë edhe çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
“Edhe për Presidentin ka shpresa. Ne do të hyjmë në negociata më të thelluara me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe më pas do të shohim se çfarë epilogu do të sjellë ky proces”, deklaroi Konjufca.
Sipas tij, qëllimi i bisedimeve është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për funksionimin e institucioneve dhe për përcaktimin e pozitave kryesore shtetërore.
Takimet politike pritet të intensifikohen para seancës konstituive të 6 gushtit, me synimin për të kapërcyer ngërçin institucional dhe për t’i hapur rrugë krijimit të institucioneve të reja.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






