Transmetuar më 03-08-2026, 14:18

HAGË – Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë, pasi gjyqtari Christopher Gosnell ka refuzuar kërkesën e tij për lirim me kusht dhe ka vendosur zgjatjen e masës së paraburgimit edhe për dy muaj.

Në përpjekje për të siguruar lirimin, Thaçi kishte ofruar një garanci financiare prej 50 mijë eurosh dhe ishte zotuar të respektonte një sërë kushtesh të vendosura nga gjykata, me synim garantimin e mbarëvajtjes së procesit gjyqësor.

Në arsyetimin e vendimit, gjyqtari Gosnell vlerësoi se garancia financiare e ofruar nga familja dhe miqtë e Thaçit nuk ishte e mjaftueshme për të justifikuar ndryshimin e masës së sigurisë.

“Siguria financiare prej 50 mijë eurosh e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të mosparaqitjes në seanca, e zbut më tej rrezikun e arratisjes”, citohet të ketë deklaruar gjyqtari në vendim.

Hashim Thaçi, së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, përballet me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të ngritura nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në lidhje me luftën e viteve 1998–1999.

Procesi gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka nisur në prill të vitit 2023. Ata janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat, ndërsa gjykimi vijon.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit