Transmetuar më 03-08-2026, 13:27

TIRANË – Monedha europiane e ka nisur muajin gusht me një tjetër zhvlerësim, duke shënuar nivelin më të ulët historik të regjistruar ndaj lekut.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro këtë të hënë është këmbyer mesatarisht me 93.3 lekë, ndërsa rënia e saj është thelluar me afrimin e pikut të sezonit turistik veror.

Fluksi i lartë i valutës që hyn në vend gjatë muajve të verës, kryesisht nga turizmi dhe dërgesat valutore, ka ndikuar në rritjen e ofertës për euro në treg, duke ushtruar presion në uljen e kursit të saj.

Në tregun e këmbimit valutor, një euro po blihet nga qytetarët me rreth 93 lekë dhe po shitet me 93.6 lekë. Këto nivele përbëjnë vlerat më të ulëta të regjistruara ndonjëherë për monedhën europiane në Shqipëri.

Krahasuar me gushtin e vitit të kaluar, euro rezulton të jetë zhvlerësuar me rreth 4.2%.

Për të zbutur luhatjet e forta të kursit dhe për të frenuar një zhvlerësim të mëtejshëm të euros, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg përmes blerjeve të valutës. Si rezultat, rezerva valutore e vendit ka arritur një nivel rekord prej 7.8 miliardë euro në fund të muajit qershor.

Ekspertët e tregut vijojnë të monitorojnë ndikimin e prurjeve valutore sezonale dhe politikat e bankës qendrore mbi ecurinë e kursit të këmbimit.

Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit