

RROGOZHINË – Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë kanë bojkotuar punën këtë të hënë dhe kanë dalë në protestë kundër propozimit për shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë e Kavajës, në kuadër të reformës territoriale të propozuar nga Partia Socialiste.
Protestuesit kundërshtojnë ndryshimin e propozuar, duke deklaruar se Rrogozhina i plotëson kriteret për të vijuar si njësi administrative më vete dhe se bashkimi me Kavajën do të cenonte, sipas tyre, identitetin e zonës.
Një prej punonjësve të bashkisë u shpreh se kjo nismë përbën një padrejtësi ndaj Rrogozhinës, duke argumentuar se bashkia ka kapacitete njerëzore dhe financiare për të funksionuar e pavarur.
“Bashkisë Rrogozhinë po i bëhet një padrejtësi shumë e madhe. Ne i plotësojmë të gjitha kriteret për të qëndruar si bashki. Sot kemi një bashki me rreth 43 mijë banorë dhe jemi kundër bashkimit me Kavajën”, deklaroi ai.
Punonjësit pretenduan gjithashtu se të dhënat mbi Rrogozhinën nuk janë vlerësuar saktë gjatë hartimit të reformës dhe kërkuan që autoritetet të rishikojnë propozimin.
Një tjetër protestues iu drejtua kryeministrit Edi Rama, Presidentit të Republikës dhe strukturave përgjegjëse për reformën territoriale, duke kërkuar që Rrogozhina të ruajë statusin e bashkisë më vete.
Sipas tij, pavarësisht problematikave që mund të ketë bashkia, shqetësimi kryesor lidhet me ruajtjen e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe funksionimin e administratës lokale.
Punonjësit e Bashkisë Rrogozhinë deklarojnë se do të vijojnë kundërshtimin e kësaj nisme, ndërsa pritet që debati për ndarjen e re territoriale të diskutohet më tej në institucionet përgjegjëse.
Shënim: Çdo person që mund të përmendet në përmbajtjen e këtij artikulli, mbështetur mbi parimin procedural penal dhe atë universal të prezumimit të pafajësisë, konsiderohet i pafajshëm penalisht, nëse nuk ka ose deri kur të ketë një vendim të formës së prerë.
Shënim: Në disa lajme, imazhet gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






